Ishte java kur skuadrat kryesore të kampionatit donin të tregonin forcën e tyre. E nisi Dortmundi të premten me fitoren 4-0 ndaj Frankfurtit, e vazhduan Lajpcigu me triumfin 3-0 kundër Verderit, ndërsa nuk mbeti prapa Mynshengladbahu me shifrat 4-1. i takonte, pra, edhe Bajernit që të tregonte se ishte aty, madje si kryesues, dhe bavarezët e bënë. Fituan 4-1 në stadiumin e Këlnit, me rrjetat e Levandovskit, Kingli Komanit dhe dy herë të Serg Gnabrisë. Madje, në vetëm 12 minuta lojë, rezultati kishte arritur në 3-0.
Kapiteni dhe portieri Manuel Nojer, që pati punë vetëm pas pushimit, e pa të udhës që të bënte një paralajmërim. “Ne mund të kishim shënuar edhe 10 gola në këtë ndeshje, – ishin fjalët e tij, – prisja më shumë rezistencë nga Këlni. Padyshim mund të kishte pasur më shumë se 4-1”. Portieri vendas, Tim Horn e pranoi se “mund të kishte shkuar shumë më keq, për fat nuk ndodhi”. Dhjetë gola në një ndeshje? Në Bundesligë këtë e ka bërë vetëm Gladbahu në 1984 ndaj Braunshvajgut, 10-0.
“Në ndeshje të tilla duhet të ketë pushime si në basketboll apo volejboll, – tha trajneri i Këlnit, Gisdol, – Bajerni po luante në maksimum me klasin e tij”. Tomas Myleri u shpreh i lumtur se “luajtëm futboll të madh në pjesën e parë, rrallë herë i kam parë shokët kaq të lumtur, duhej të kishim kryesuar 5-0 në pjesën e parë”. Bajerni bëri 18 gjuajtje në portë në 45 minuta ndaj 1 të Këlnit!
Sfidanti.al