Mediumet kroatë dhanë lajme ekskluzive. Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, shkoi ditët e fundit në Zagreb që ta bindë, personalisht, Ivan Perishiçin që të shpërngulet për në “Old Trafford”. Gazeta kroate “Jutarni list” shkruan se Murinjo donte një takim tet a tet me Perishiçin dhe se ndërmjetës është ish-futbollisti malazez Predrag Mijatoviç. Murinjo është një tifoz i madh i Perishiçit dhe ai shkoi vetë në Zagreb që të fitojë konkurrencën, pasi, sipas lajmeve, edhe Celsi dhe Liverpuli po interesohen mjaft për këtë futbollist.
Ka shumë mundësi që Murinjo të ketë më shumë shanse që ta bindë Perishiçin, por ndërkohë thuhet se ky i fundit nuk është i vetmi futbollist kroat që ndodhet në “bllokun e dëshirave” të tij (Murinjos). Sipas lajmeve, Marselo Brozoviç është, gjithashtu, në objektiv të trajnerit portugez dhe ai dëshiron që ta takojë edhe atë, personalisht, pas ndeshjes së Kroacisë me Ukrainën. Thuhet se Murinjo është gati që të paguajë 40 milionë euro për Perishiç.
sfidanti.al