Të paktën njërën palë kërkon ta ketë me vete. Zhoze Murinjo po bën luftë në shumë fronte tek Mançester Junajtidi, dhe shpreson që tifozët të mos i shtojë tek ata që i ka kundër. Kështu mund të spjegohet sjellja e tij pas ndeshjes së fituar në fushën e Bërnlit, kur kërceu gardhin e reklamave për të takuar në tribunë përkrahësit udhëtues të Junajtidit.
Portugezi i fali njërit prej tyre xhaketën e tij të zezë, ndërsa u kthye në fushë me pulovër. Murinjo mund të ketë shumë dobësi, por ai ka zotësinë të ruajë gjakftohtësinë në momente të vështira, të paktën në dukje, siç bëri kur shkoi tek tifozët. Veprimi i tij mund të quhet edhe një aleancë me “tribunën” përballë shefit ekzekutiv, Ed Uduord, ndërsa përkrahësit janë qartësisht kundër këtij të fundit, aq sa shfaqën një parullë fluturuese mbi stadiumin e Bërnlit, ku shkruhej “Uduord, specialist në dështim”.
Gjithsesi, Junajtid mbetet në mesin e tabelës, 6 pikë prapa kreut dhe me golaverazh ende negativ, ndërsa titullin e fundit e ka fituar në 2013 me trajner Sër Aleks Fergusonin. Nuk dihet sesa kohë tifozët do të jenë me Murinjon, nëse ai nuk arrin të fitojë kampionatin.
Sfidanti.al