Murinjo e di se Man. Junajtid e ka Kupën e Ligës vetëm “antipastë”!

Ashtu si 13 vjet më parë, ai nuk u hodh përpjetë nga gëzimi. Ishte, gjithsesi, një rast i ndryshëm për Zhoze Murinjon nga ai kur fitoi Ligën e Kampionëve me Porton në 2004. Trajneri portugez kishte vendosur të largohej për tek Çelsi, krisja kishte filluar, dhe ai nuk ngurroi ta bënte publike, duke mos u bashkuar me gëzimin e lojtarëve të tij.

Motivi ishte tjetër mbrëmjen e së dielës kur Mançester Junajtid sapo kishte fituar Kupën e Ligës në Angli. Është më mirë të thuhet “motivet”, pasi nuk besohet të ketë qenë vetëm një. Murinjo u duk shumë i përmbajtur, ndryshe nga euforia e futbollistëve dhe e tifozëve. Së pari, portugezi ndjeu se skuadra e tij pati fat dhe se fitorja ishte më shumë prej Ibrës, që me golat e tij zgjidhi një finale të vështirë. Sauthemptoni luajti më mirë në pjesën më të madhe të kohës.

Pavarësisht natyrës konfliktuale me kolegët e profesionit apo edhe me mediat, Murinjo nuk është nga ata që nuk i pranon të vërtetat, të paktën disa herë. E pranoi edhe kur Reali i tij eleminoi Mançester Junajtidin e Sër Aleks Fergusonit në Champions disa vjet më parë, ndërsa anglezët kishin qenë më të fortë.  E pranoi edhe tani, duke pohuar se “fituam nga Zllatani”.

“Unë jam i lumtur, – tha Murinjo, më pas, – jam shumë i lumtur. Kjo Kupë ishte e rëndësishme për të gjithë, ishte edhe për mua, pasi unë e kisha vënë veten shumë nën presion, pasi dëshiroj shumë ta fitojë një titull të rëndësishem me çdo klub. Lehtësimi ishte i madh pasi ishte synim i madh për mua të fitoja me Junajtidin”.

Gjithsesi, trajneri i “djajve të kuq” tregoi edhe një arsye tjetër përse qendroi i rezervuar. “E vërteta është se unë dua më shumë suksese, – tha ai, – kontrata ime është e gjatë, ka edhe 2 vjet të tjera përveç këtij, ndaj ne duhet të përpiqemi edhe më shumë për të fituar më shumë”.

Sfidanti.al