Ky futbollist brazilian ka kohë që është vënë në shenjëstër të Barcelonës, kështu që pritet që klubi katalonjas t’i vazhdojë përpjekjet, sidomos, gjatë verës së ardhshme, që të sigurojë shërbimet e këtij mesfushori ofensiv, të cilin Liverpuli, bëri si bëri, dhe nuk e la që të largohej verën e kaluar. Ka shumë mundësi që, edhe gjatë sezonit të transferimeve të këtij janari, Kutinjo nuk do të largohet nga ‘të kuqtë”, por, gjatë verës së ardhshnme, askush nuk mund të japë garanci.
Gazeta “Mundo Deportivo” shkruan se, tanimë, shokët lojtarë të Kutinjos e dinë se ai do të largohet, në një të ardhme të afërt, nga Liverpuli. Po ashtu, ajo shkruan se krerët e klubit dhe vetë trajneri Jyrgen Klop e mirëkuptojnë situatën dhe nuk do t’i ngrenë më pengesa Kutinjos, nëse ai do të ngulë këmbë që të largohet. Thuhet se shuma që do të duhet të paguajë Barcelona për Kutinjon, do të jetë mbi 100 milionë euro.