E thënë që në fillim dhe “troç”, gjithçka ishte e merituar, të paktën për atë që u dha në fushën e lojës. Mançester Junajtidi nuk vodhi gjë për paraqitjen që bëri, në duelin e Kupës së Ligës ndaj Evertonit, edhe pse luhej në “Gudison Park” madje me praninë e 2 000 tifozëve. Fitorja 2-0 qendron gjithë ditën, madje golat e Edinson Kavanit dhe Antoni Marsialit u shënuan tepër vonë, në 87’ dhe në minutat shtesë. Gjysmëfinale dhe shpresë për trofe.
Gjithsesi, nëse do të kishte pasur VAR, atëherë gjithçka mund të kishte qenë ndryshe. Kavani, sipas të gjitha mundësive, do të ishte përjashtuar sepse kapi për fyti Jerri Minën, një larje hesapesh Uruguaj-Kolumbi për çështje të mëparshme. Gjyqtari nuk e vuri re veprimin e Kavanit, VAR nuk kishte ndaj sulmuesi vazhdoi lojën. Me një lojtar më pak, sidomos me kaq shumë përvojë si ai, Junajtidi do ta kishte pasur shumë më pisk. Trajneri Solskjer e “shtyu anash” incidentin duke mos komentuar, por analistët dhe tifozët e bënë. “Me VAR, Kavani do të kishte qenë jashtë”, tha Lineker. Ish-lojtarët Osman dhe Bent ishin dakord, ndërsa tifozët u tallën se futbolli u kthye në mundje (ërestling) dhe gjyqtari duhej të kishte nisur numërimin që Mina të ngrihej në këmbë.
Sfidanti.al