Duket e habitshme kur të largojnë pas një fitoreje, por ja që ndodh. Kështu bëri Paris SG që shkarkoi trajnerin Tomas Tuhel, ndonëse kampionët e Francës e mbyllën vitin me suksesin 4-0 në “Park dë Prensis” ndaj Strasburgut. Mediat franceze dhe ato europiane shkruan se në vend të gjermanit do të emërohet Maurisio Poçetino, ish-trajneri i Totenhemit, që pritej prej kohësh të firmoste për një emër të madh.
Përse ky vendim për Tuhelin pikërisht tani, dhe a mund të quhet i papritur? Menjëherë pas fitores ndaj Strasburgut, analistët në televizionin amerikan, ESPN, paralajmëruan se tekniku mund t’i kishte orët të numëruara. Ish-ylli i Francës, Frank Lebëf, dhe opinionisti tjetër Zhylien Loren, deklaruan se gjermani i kishte raportet të prishura me të gjithë, dhe se ishte i nervozuar në kulm.
Tuheli u shfaq i tensionuar dhe i zymtë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së Ligës së Parë, ndërsa disa herë kishte pasur shpërthime zemërimi, me drejtues të klubit, me lojtarët e tij apo edhe me kundërshtarët. Raportet e prishura mes tij dhe drejtorit sportiv, Leonardo, që u bënë publike nga të dyja palët, padyshim ndikuan edhe më shumë për vendimin e presidentit Al Helaifi. Gjithashtu, trajneri pati probleme me yjet kryesorë të ekipit, si Kilian Mbape e Nejmar, të cilat gjithashtu u pikasën nga kamerat.
Gjithsesi, nuk mund të thuhet se Tuheli ishte një dështak në Paris, përkundrazi. Nën drejtimin e tij, PSG arriti finalen e Championsit sezonin e kaluar, humbur minimalisht ndaj Bajernit, ndërsa fitoi dy tituj kampion. Nuk mund të thuhet se presidenti Al Helaifi mbeti i zhgënjyer nga puna e gjermanit në dy vjet në stol, por ndoshta konfliktet ishin bërë pak si shumë për t’u menaxhuar.
Klubi do të jetë i detyruar t’i paguajë rrogën teknikut të larguar, i cili fitonte jo pak, por 7.5 milionë euro në sezon. Gjithsesi, një faqe u kthye, dhe Paris SG do t’i besojë yjet Maurisio Poçetinos që ktheu Totenhemin në një skuadër të madhe në Angli dhe që gjithashtu arriti finalen e Championsit në 2019.
Sfidanti.al