Mançester Junajtid, rruga e gjatë dhe e mundimshme drejt kreut!

Historia e Sër Aleks Fergusonit është një manual i detyrueshëm për t’u lexuar për trajnerët e futbollit, për ata që duan të bëhen të tillë, dhe për analistët që vendosin të paguhen që t’i kritikojnë njerëzit e stolit. Skocezi i madh do të kishte përfunduar keq, nëse drejtuesit e Mançester Junajtidit nuk do t’i kishin besuar gjatë, dhe Ole Gunar Solskjer sërish e kuptoi sesa e vështirë është që të ndërtosh në një kohë sa më të shpejtë një skuadër fituese. “Djajtë e kuq” u barazuan në minutën e fundit nga Sauthemptoni dhe ndeshja përfundoi 2-2, pra për momentin ekipi i Solskjerit është jashtë zonës Champions.

Duhej të kishin qenë tri pikë “në xhep” ende pa filluar ndeshja, por ja që ne Angli nuk ka kundërshtarë të tillë. E provoi Çelsi që u mund 0-3 nga Shefild Junajtidi, si dhe Leisteri që u shkatërrua 1-4 nga Bornmuthi. Në renditje Çelsi ka 60 pikë në vend të tretë, Leister e Junajtid nga 59, në vendet e 4 e 5. Ky barazim mund të kushtojë rëndë në fund, sepse deri në mbyllje të sezonit të Premier Ligës duhen edhe vetëm 3 ndeshje. Sërish ishin në fushë sulmuesit e talentuar Grinvud, Rashford e Marsial, por tri pikët nuk u siguruan. Armstrong kaloi miqtë në epërsi në 12’, Rashford (20’) e Marsial (23’) përmbysën shifrat, por në 90’ Obafemi barazoi. Sër Aleks Fergusoni ishte në tribune dhe kujtoi kohët e tij të vështira në vitet 80-të, kur nuk po arrinte dot suksesin. Me siguri, duhet t’ia ketë thënë disa fjalë inkurajuese Solskjerit, të tipit “let it be”!

Sfidanti.al