Interi siguron Konten, por trajneri nuk kafshon gjuhën: Iki nëse s’më duan!

Ka qenë shumë në diskutim, madje dhe brenda në klubin e tij, nëse do të besojmë ato që shkruhen në media. Nuk do të ishte diçka e re për Antonio Konten, trajnerin e Interit, që u largua me “bukë të thyer” edhe nga Juventusi e Çelsi, ndonëse doli kampion. Tek Interi nuk dihet nëse do t’ia dalë, por shefi ekzekutiv i klubit, Bepe Marota, hedh poshtë spekullimet, të paktën sipas asaj që deklaron.

“Interi është i kënaqur me Antonio Konten, – tha Marota, – mos mendoni se do të ndryshojmë trajnerin. Është e vërtetë që mërzitemi kur pësojmë gola në fund, por duhet të bëjmë një vlerësim nga shtatori deri më sot. Konte ka punuar shumë mirë, përsosmëria nuk ekziston, por ka përmirësim”.  Një lloj lavdërimi, por edhe kërkese për më shumë, ndërsa Konte iu përgjigj kritikëve, por edhe lëshoi një mesazh për klubin, të paktën siç u kuptua nga fjalët e tij.

“Jam i kënaqur me karakterin e treguar nga djemtë, dhe me reagimin e tyre, – u shpreh trajneri, – më vjen mirë që sot luajtën ashtu siç duhet pavarësisht momentit të vështirë. Jemi në vend të dytë, por asgjë nuk ka përfunduar, ndërsa nuk dua të flas për titullin, pasi nuk është në dorën tonë. Ka pasur shumë kritika për ne, por dua të them se ky Inter është një projekt 3-vjeçar, pra është një punë që ende nuk ka përfunduar. Gjithsesi, unë nuk qendroj kurrë diku, nëse jam i tepërt, apo nëse nuk janë të kënaqur me mua. Falenderoj Marotën për fjalët e thëna”.

Sfidanti.al