“Për ne kishte shumë rëndësi një rezultat pozitiv pas asaj që ndodhi fundjavën e kaluar”, u shpreh trajneri Ole Gunar Solskjer. Ai kishte të drejtë. Barazimi 3-3 me Evertonin në “Old Traford” kishte shpërthyer një fushatë përçmimi nëpër studiot televizive, që gjithnjë kanë nevojë për një “flijim”. Solskjeri nuk deshi t’u jepte shumë material ndaj edhe Mançester Junajtidi duhej të fitonte me patjetër ndaj Uest Hemit në Kupë. Gjithsesi, më e lehtë për t’u thënë se për t’u bërë, dhe përballja në “Old Traford” doli e vështirë.
Ajo u zgjidh vetëm në kohën shtesë kur Skot Mektominai shënoi golin e vetëm në minutën e 98-të duke i dhënë fitoren ekipit të tij në një ndeshje tepër të rrezikshme. Uest Hemi i Dejvid Mojesit ishte në një formë shumë të mirë, ndonëse “djajtë e kuq” e vunë me shpatulla pas muri. Vendasit mbajtën topin 62 për qind, gjuajtjën 17 herë drejt portës (3 Uest Hemi) dhe 5 herë në kuadrat (1). “Ne duhej të kishim qenë më të saktë, – tha Solskjeri, – duhej ta kishim mbyllur ndeshjen në 90 minuta”. Man. Junajtid tani është në çerekfinale. Sa për trajnerin e Uest Hemit, Dejvid Mojes, ai theksoi se “ne meritonim të shkonim tek penalltitë”.
Sfidanti.al