Kristiano Ronaldo e mbylli me gol këtë sezon në “Old Traford”, dhe po ashtu Mançester Junajtidi i dha fund me fitore përpara publikut të vet. “Djajtë e kuq” mundën 3-0 Brentfordin në “Teatrin e Ëndrrave”, ndonëse ky sukses me shumë gjasë nuk do të vlejë aspak për kualifikim në Champions, sepse kjo gjë nuk do të ndodhë. Ishte thjesht një përshëndetje me tifozët për t’u dhënë një kënaqësi sado të vogël në një sezon të dështuar dhe në të cilin nuk u fitua asnjë trofe, dhe pas të cilit do të luhet në Ligën e Europës ose në Ligën e Konferencës.
Vetë Kristiano, pavarësisht kritikave, e tregoi veten se është ende “gjallë”. CR7 ka 18 gola dhe 3 asistë në 29 ndeshje në kampionat, ndërsa në sezon ka 24 rrjeta në 38 sfida, një bilanc shumë i mirë për një 37-vjeçar aq më shumë në futboll aq të vështirë sa ai anglez. Ish-kapiteni Roi Kin nxiti klubin që ta mbajë edhe më tej, ndonëse Xhemi Karrager kishte mendim të kundërt. Nga ana tjetër, tek Junajtidi ka dyshime të mëdha për të ardhmen, pasi trajneri Rangnik tha se në ekip duhen edhe 3 sulmues të rinj, ndërsa për Ronaldon do të vendosë trajneri i ri, Ten Hag. Së fundmi, kaosi është i plotë pasi tifozët protestuan sërish kundër pronarëve të klubit, miliarderëve amerikanë të familjes Glejzër.
Sfidanti.al