Në Gjermani nja 20 vjet më parë tregohej një histori për të qeshur, pra sesi dikush pyeti një shoqen e tij nëse “e hekurose bluzën para sesa ta veshës, apo pasi e veshe?” Shoqja e pa e habitur dhe i tha: “Para se ta vishja, pse si mund të bëja ndryshe?” Atëherë asaj iu tha se në Amerikë ka nga ata që i hekurosin bluzat pasi i veshin, digjen në trup nga hekuri i nxehtë, hedhin në gjyq kompaninë që prodhoi hekurin e hekurosjes dhe fitojnë gjyqin me argumentin se kompania duhet ta sqarojë në ambalazh se bluza nuk duhet të hekuroset e veshur”.
Kjo histori duket se po ndodh tek Mançester Junajtidi, pasi doktori i klubit Stiv Meknelli deklaroi se do të duhet të kujdeset për shëndetin mendor të lojtarëve të tij që janë në karantinë dhe që po pësojnë dëmtime nga më të ndryshmit. “Do të duhet të ndihmojmë lojtarët në karantinë për gjendjen psikologjike, – thotë ai, – ka nga ata që kanë pësuar djegie apo dëmtime duke gatuar, madje njërin e ka kafshuar edhe qeni i tij”. Doktori Stivi thotë se shërimi më i mirë do të ishte nëse do të dilnin nga shtëpia e do të nisnin stërvitjen në grup, qoftë edhe me masa të rrepta për t’u mbrojtur.
Sfidanti.al