Lojaliteti para parave: Viliani nuk do të largohet nga Celsi

Futbollisti i talentuar brazilian, kampion i ri i Anglisë, Vilian zbuloi, dje, se nuk ka ndërmend që të largohet nga Celsi për te Mançester Junajtidi, edhe pse, gjatë këtij sezoni, ai e humbi vendin në formacionin e parë të ekipit. Ish-trajneri i “bluve” Zhoze Murinjo është një tifoz i madh i stilit të lojës të Vilianit, kështu që ky pjesëtar i përfaqësueses braziliane ka qenë “karta” kryesore e Murinjos, kur ai drejtonte ekipin e “Stemford Brixhit”. Kjo është edhe arsyeja që strategu portugez po përpiqet që t’i mbushë mendjen Vilianit që ai të vijë te “djajtë e kuq”, duke pasur parsysh edhe faktin se ai nuk është më në formacionin e parë të “bluve”.

Por Viliani insiston se ai do të vazhdojë që të qëndrojë te Celsi, të paktën, deri sa të përfundojë kontrata. “Unë jam mjaft i kënaqur këtu dhe kjo gjë mund të vihet re fare lehtë. Në vitin e katërt timin me këtë ekip, unë shpallem kampion i Anglisë për herë të dytë. Celsi më ka bërë që unë të krenohem me këtë, kështu që unë nuk mund ta braktis kaq thjesht këë ekip, për më tepër të shkoj te një ekip rival i tij. E di se është zhgënjyese të humbasësh vendin në formacionin e parë, por këto janë punët e trajnerit, tek i cili unë kam besim të plotë dhe ky besim u shpërblye me titullin që fituam, ndërkohë që, mbas disa ditësh, ne kemi shansin që të fitojmë edhe një trofe tjetër, FA Kupën. Kontrata ime me Celsin është deri më 2020 dhe unë kam ndërmend që ta zbatoj atë deri në fund”, thotë Viliani.

Sfidanti.al