Ndeshja luhet të dielën, por duelet e mëdhenj janë bërë si dasmat e fshatit. Madje, ia kanë kaluar atyre, pasi nëse ato dasma nisnin të enjten apo të premten për t’u mbyllur ditën e fundit të javës, sfida e Premier Ligës, Liverpul-Mançester Siti filloi që të hënën. E nisi Pep Guardiola duke akuzuar Sadio Manenë si simulant, e vazhdoi Jurgen Klop, duke thënë se “Pep mendon për Liverpulin më shumë sesa mendoj unë për Sitin”, dhe e shtyu edhe më përpara vetë Sadio Mane.
“Unë do të vazhdoj të simuloj, të hidhem, – tha ai me të qeshur pas ndeshjes së fituar në Champions nga Liverpuli ndaj Genkut, – do të vazhdoj të luaj futboll siç kam bërë deri tani, dhe nuk do ta vras mendjen se çfarë thotë ai. Mos vallë kjo më jep më shumë motivim? Jo, unë gjithnjë jap maksimumin për të ndihmuar skuadrën”. Mane deklaroi se Guardiola po përpiqet të ndikojë jo tek ai, por tek gjyqtarët. Sulmuesi fitoi penallti ndaj Leisterit dhe Totenhemit muajin e kaluar, dhe u ndëshkua me të verdhë i akuzuar për simulim në ndeshjen ndaj Aston Vilës.
Sfidanti.al