Liverpuli për Dibalën? Klopin gjithmonë e lidhin me yjet, por nuk i merr!

Në “Anfild”, ata që janë marrë më shtrenjtë janë Virgil Van Dajk dhe portieri Alison, ndërsa kur Salah e Sane erdhën, nuk cilësoheshin lojtarë të kalibrit botëror. Gjithsesi, mediat europiane (të nxitura nga ndonjë dorë e fshehtë) e kanë lidhur shpesh Liverpulin me yje të mëdhenj, ndonëse në fund fare asgjë nuk ka ndodhur. U fol për Kilian Mbapenë, por tashmë nuk ka zëra të tillë me Realin e PSG-në që bëjnë duel. Është folur para ca kohësh për Halandin, por kur po vjen momenti i së vërtetë, Klopi as nuk ka bërë ndonjë lëvizje. Tani po flitet për Paulo Dibalën, që ndoshta nuk do të rinovojë kontratën me Juventusin. A mundet që argjentinasi të jetë “tullumbacja” e radhës, apo një mundësi reale? Klopi padyshim që do të jetë i tërhequr nga fakti se kapiteni bardhezi mund të merret me parametër zero dhe një rrogë 10 apo më shumë milionë euro në sezon, Liverpuli nuk e ka shumë problem. Gjithsesi, nëse në garë hyjnë klube që ofrojnë shumë për lojtarin, të kuqtë do të tërhiqeshin. Aq më tepër që Dibala është lojtar që dëmtohet pak si shpesh në Itali. Çfarë mund të ndodhë në futbollin e ashpër anglez?!

Sfidanti.al