Liverpuli nuk pyet për moshën, Klop pranë Ligës së Kampionëve!

Është vetëm një ndeshje larg kualifikimit të madh. Liverpuli triumfoi 4-0 në stadiumin “Olimpik” të Londrës ndaj Uest Hemit dhe iu afrua rikthimit në Ligën e Kampionëve. Skuadra historike, që e ka fituar pesë herë kompeticionin më të madh të klubeve në Europë, e mbajti me autoritet vendin e katërt në Premier Ligë, pozicion që të jep mundësi të luash në plej ofin e Championsit, hapi i fundit përpara fazës së grupeve.

Daniel Starrixh në pjesën e parë, dhe pastaj dy herë Filip Kutinjo pas pushimit, plus Divok Origi në minutën e 76-të, ishin futbollistët që konkretizuan epërsinë e të përzgjedhurve të trajnerit Jurgen Klop. Fillimi nuk ishte edhe aq i lehtë, por të kuqtë patën epërsi të madhe në zotërim topi dhe në gjuajtjet drejt portës. Kjo u pasqyrua edhe në rezultat.

Me këtë sukses në javë e parafundit, Liverpuli u ngjit në kuotën e 73 pikëve, për momentin në vendin e tretë dhe shumë pranë arritjes së qëllimit. Mançester Siti mund të përfundojë mbi formacionin e Klopit, ashtu si Çelsi dhe Totenhemi, por Arsenali nuk e ka në dorë fatin e tij, ndërsa Mançester Junajtid nuk ka më shanse. Nëse ia del, Liverpuli do të kthehej në Champions për herë të parë që nga sezoni 2014-2015 kur u eleminua në fazën e grupeve nga Bazeli i Taulant Xhakës.

Sfidanti.al