Kush ishin ata që e kritikonin Mo Salahun në fillim të sezonit, se i kishin “shterrur” golat? Me atë që realizoi në portën e Brajtonit, sulmuesi egjiptian numëron 17 këtë edicion, duke qenë jo vetëm ndër më të mirët, por edhe “shëruesi” i ekipit të tij. Liverpuli arriti një fitore tepër të mundimshme, 1-0, në stadiumin e Brajtonit, por vuajtja dhe aspak bukuria në lojë mund të anashkalohen.
Pas humbjes në fushën e Sitit në Premier, dhe eleminimit nga Kupa e Anglisë, gjithçka duhej ishte thjesht një fitore. Ajo erdhi, e vogël, e shëmtuar, por me vlerë 3 pikëshe, dhe për më tepër, duke larguar trysninë nga mendjet e lojtarëve. “Aspirina” që solli shërimin quhej Mohamed Salah, njeriu që fitoi penalltinë dhe e ktheu në gol në pjesën e dytë.
“Kjo që na ndodhi, ishte si një rrëzim nga kali, – tha trajneri Klop, me mënyrën e tij, – duhej të ngriheshim sërish në shalë dhe më në fund e bëmë. Nuk është se u shqetësova shumë nga humbjet, sepse nuk luajtëm keq në ato ndeshje, ndërsa jam i lumtur që lojtarët e mi reaguan”. Liverpuli ka 57 pikë, dhe mbetet i sigurt në krye të Premier Ligës, ndërsa Mançester Siti ka 50 pikë, por e luan të hënën ndeshjen e tij.
Sfidanti.al