Kur të ndëshkon djali i shtëpisë, Uolker i jep fitoren Sitit në Shefild!

Shpesh ka qenë i diskutueshëm, më së shumti për shkak të ndonjë skandali, por edhe ndonjëherë për shkak të formës. Kajl Uolker, një “kalë i vërtetë beteje” në fushën e lojës, pati një të shtunë krejt të veçantë pasi ishte vendimtar dhe madje në qytetin e tij të lindjes, Shefild. Mbrojtësi shënoi golin e vetëm të ndeshjes së Mançester Sitit në fushën e Shefild Junajtidit, në minutën e 28-të. Kjo, ndaj ekipit ku ai hodhi hapat e parë si futbollist.

“Jam i lumtur për ndihmën që i dhashë ekipit, – u shpreh ai më pas, – më vjen keq për tifozët e Shefildit, unë nuk dua që t’i mërzis asnjëherë, por jam profesionist dhe jap maksimumin për fanelën që kam veshur”. Trajneri Pep Guardiola nuk i kurseu komplimentat për 30-vjeçarin. “Më vje shumë mirë për të, dhe jam i kënaqur, por jo vetëm për golin, – u shpreh Pepi, – Kajli e kupton sot shumë më mirë lojën, kupton sesi duhet të mbrojë. Ai ka luajtur thuajse për gjithë kohën. Kajli është një tifoz i Shefild Junajtidit, e dashuron ekipin e tij, por ja që e shënoi golin për ne”.

Sfidanti.al