Roberto Firmino është sot një nga sulmuesit më të vlerësuar të Europës, por historia e tij nuk është si ajo e Kristiano Ronaldos, apo Robert Levandovskit. Braziliani që po luan një sezon të shkëlqyer tek Liverpuli, u zbulua nga një “gjahtar talentesh” nga Europa, jo duke e vëzhguar në fushë, por nga një lojë kompjuterike. Luc Pfanenshtil, zbulues talentesh i klubit gjerman, Hofenhajm, pati fatin ta realizonte diçka të tillë, duke luajtur lojën e njohur “Menaxheri i Futbollit”(Football Manager).
Firmino kaloi shpejt nga kategoria e dytë në Brazil, në Bundesligë dhe pastaj në Premier Ligë, në një ngjitje meteorike që erdhi thuajse fare rastësisht. “Po, pra, – u shpreh gjermani, – ne zbuluam një djalë 17-18-vjeçar në kategorinë e dytë në Brazil, ndërsa shuma që duhej paguar për të, nuk ishte e vogël, gati 5 milionë euro, por për fat trajnerët në Hofenhajm deklaruan se Firmino i meritonte ato para”.
Në 2011, braziliani që po luante me Figerensen, u bashkua me klubin në Bundesligë, dhe në verën e 2015-ës kaloi tek Liverpuli. Hofenhajmi mori 42 milionë euro për kartonin e tij, plus shpërblime mbi bazë rezultatesh, pra Firmino doli një investim i shkëlqyer. Sulmuesi ka shënuar 5 gola dhe ka shërbyer 3 asistë në 10 takime që ka luajtur për Liverpulin e Jurgen Klopit.