Kriket është një sport për të cilin anglezët “vdesin”, por të cilit shqiptarët nuk para “ia thonë”. Gjithsesi, le ta lexojnë historinë më të fundit të tij në Indi. Skuadra kombëtare vendase po lunate me Anglinë në ditën e parë të testeve (sipas rregullave të kriketit), por lojtarët u detyruan të shkonin për çaj përpara kohe. Shkaku? Një qen pa zot u turr brenda fushës dhe punonjësve të sigurisë iu deshën disa minuta për ta nxjerrë jashtë. Ndërkohë, djersa ishte ftohur dhe pushimi ishte afër, ndaj edhe ndeshja u ndërpre për të filluar më vonë.
Qeni hyri në fushë në një moment kritik, kur dy lojtarë të Indisë ishin gati për të realizuar pikë të rëndësishme, diçka që u desh të provohej pas rifillimit të ndeshjes. Siç ndodh sot në botën e informimit të rrufeshëm, miku i njerëzve, pra qeni, u bë me një llogari në Tuiter, dhe emrin “Qeni Vizag”, dhe postimi i parë në të ishte, “kush më gjuajti me këpucë?”, duke iu referuar punonjësve të sigurisë që vepruan siç shihet edhe në foto.
Gjithsesi, ky qen duket se bën pjesë në një grup të organizuar, pasi saktësisht 6 muaj më parë, një tjetër gjallesë e tillë me 4 këmbë ndërpreu një ndeshje të kampionatit indian. Pas krahasimit të fotografive, doli se pavarësisht se ndryshonin nga ngjyra, qentë duhej të ishin nga e njëjta racë.