Pritet që kampioni i botës të rinovojë kontratën, dhe të vazhdojë të luajë në Premier Ligë. Sa shumë variante pati për të ardhmen e Pol Pogbasë, veçse në futboll ashtu si në jetë, gjërat mund të ndryshojnë me “shpejtësi drite”. Agjenti i tij, Mino Raiola, paska bërë me dijë se mesfushori nuk ka ndërmend të ikë nga Mançester Junajtidi këtë verë. Francezit i ka mbetur edhe 1 vit kontratë, dhe besohet se do të ketë bisedime për rinovim të kontratës.
Në katër sezonet e fundit që ka qenë në “Old Traford”, Pogba nuk ka mundur të përsërisë formën që pati tek Juventusi, as atë që ka treguar me kombëtaren e Francës, ndaj edhe është kritikuar ashpër. Gjithsesi, largimi i Zhoze Murinjos dhe ardhja e Ole Gunar Solskjerit e ndryshoi dalë nga dalë situatën. Pogba ishte prej shumë muajsh i dëmtuar, por duket se afrimi i mesfushorit portugez, Bruno Fernandes, e ka ndihmuar ndjeshëm. Fernandes po luan rolin e liderit, diçka që francezi mesa duket nuk ka dashur ta ketë. Tashmë, atij po i pëlqen projekti i Solskjerit dhe nuk është habi ta vazhdojë karrierën tek Junajtidi, sidomos pas kualifikimit për në Champions.
Sfidanti.al