Manchester United ka shënuar fitore bindëse me rezultat 4-1 në “Old Trafford” ndaj Newcastle United, në rikthimin e Paul Pogbas, i cili nisi ndeshjen nga fillimi dhe Zlatan Ibrahimovicit, që u fut si zëvendësues në pjesë të dytë.
“Djajtë e Kuq” iu rikthyen fitoreve në Premier Ligë, pas humbjes që pësuan në ndeshjen e kaluar ndaj Chelseat në “Stamford Bridge.
Mysafirët e befasuan skuadrën e “The Special One”, duke kaluar në epërsi në minutën e 14-të.
Pogba tregoi sa i ishte nevojitur Jose Mourinhos pasi pasoi për Anthony Martialin, i cili shënoi golin e barazimit në minutën e 37-të. Pak para përfundimit të pjesës së parë, Smalling shënoi për ta përmbysur rezultatin nga 0-1 në 2-1 për Manchester. Nuk vonoi shumë në pjesë të dytë dhe Pogba shënoi në rikthimin e tij, duke e ngritur në 3 me 1 rezultatin në minutën e 54-të.
Pas më pak se 20 minutave, më saktë në minutën e 70, Lukaku shënoi gol të bukur për 4-1. Rreth 15 minuta para përfundimit, Zlatan Ibrahimovic bëri rikthimin e shumëpritur pas lëndimit të gjatë. Pas 12 xhirove, Manchester United ka tetë fitore, dy barazime dhe dy humbje. “djajtë e Kuq” renditen në vendin e dytë në tabelë me 26 pikë. Ndërkohë, Newcastle mbetet e 11-ta me 14 pikë.
Sfidanti.al