Antonio Konte ende nuk dëshiron të flasë për titullin kampion dhe për Çelsin si favorit për ta fituar atë, ndonëse nuk ngurron të lavdërojë shpirtin luftarak të ekipit të tij. “A treguam karakter kampionësh? – tha ai pasi u pyet për ndeshjen ndaj Stouk Sitit, – padyshim që treguam karakter. Nuk është e lehtë kur pëson gol pasi kalon në avantazh, dhe pastaj sërish barazohesh”.
Trajneri i bluve vazhdoi duke thënë se “unë i njoh mirë këto situata, pasi kam qenë futbollist, dhe në momenta të tilla ti shikon orën sepse nuk ke shumë kohë”. Gjithsesi, italiani nuk ka asnjë dyshim se fitorja ishte e merituar. “Kur fiton 12 ndeshje radhazi ka një rrezik të madh që të ndihesh i kënaqur, i plotësuar, – shprehet ai, – të mos shqetësohesh shumë për një barazim. Veçse, lojtarët e mi u treguan fantastikë dhe e merituan fitoren”.
Sfidanti.al