Klopi u habit me skemën e Uest Bromit, por pranoi gabimet e Liverpulit!

Lodhja bën të vetën, dëmtimet po ashtu, por rezultati mund të kishte qenë i ndryshëm. Liverpuli la pikë në fushën e vetë për herë të parë këtë sezon, një barazim 1-1 me Uest Bromin, dhe trajneri Jurgen Klop pranoi se kampionët e patën vetë fajin që nuk arritën dot më shumë. “Unë nuk e prisja që Uest Bromi të luante me skemën 6-4-0, – tha tekniku i të kuqve, – por, kjo nuk na justifikon. Ne e patëm fajin vetë. Nuk po flasim për një ndeshje e cila do të kujtohet edhe pas 20 vjetësh, por për një ndeshje që duhej luajtur për t’u fituar dhe ne duhej të kishim bërë më shumë. Në pjesën e parë, ne patëm raste të mira, por aspak në pjesën e dytë”.

Liverpuli pati probleme të tjera me dëmtimet, dhe sërish në qendër të mbrojtjes, pasi Zhoel Matip doli nga loja i lënduar. Ai ishte i vetmi qendërmbrojtës i rolit që i kishte mbetur skuadrës pas dëmtimit të Van Dajkut dhe Gomezit, ndërsa Klopi deklaroi se nuk e ka të qartë sesa do të mungojë. Ish-kapiteni Xhemi Karrager, sot në rolin e analistit, deklaroi se është e domosdoshme që Liverpuli të marrë një qendërmbrojtës në janar. Liverpuli ka 32 pikë në 15 ndeshje, vetëm tri pikë më shumë se Evertoni i vendit të dytë.

Sfidanti.al