Klop: Shkarkimi i Ranierit? Ka ndodhur edhe Breksit dhe Trampi!

Jurgen Klop është padyshim për një “Shoqëri të Hapur”. Nuk është një “soroist” në kuptimin që i japin sot këtij cilësimi disa qarqe në Tiranë, veçse padyshim i pëlqen që planeti të jetë një vend sa më i bashkuar. Ky botëkuptim i trajnerit të Liverpulit u kuptua më mirë kur ai u pyet për fatin e kolegut të tij, Klaudio Ranieri.

“Një vendim i çuditshëm, i pakuptueshëm, – tha gjermani, – por, nuk jam i habitur që gjëra të tilla mund të ndodhin. Nuk është vetëm çështje futbolli, pasi për mua ka pasur disa vendime të tjera të çuditshme në 2016-2017, Breksit (Brexit, dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian), Trampi dhe tani Ranieri”. “Mos vallë unë duhet të mësohem dhe ta pranoj këtë gjë? – tha në formë pyetjeje Klopi, – natyrisht që jo”.

Më tej, trajneri liverpulas u shpreh se Leiçesteri gaboi. “Në kampionat, skuadra e tyre nuk është mirë, por ende ka shpresa, ndërsa po luan edhe në Ligën e Kampionëve, aty ku Liverpuli nuk është, – tha ai, – Klaudio është një profesionist shumë i mirë dhe njeri shumë i mirë. Ai e dinte se çfarë problemi kishte ekipi i tij dhe do ta gjente zgjidhjen”. Liverpuli luan pikërisht këtë javë në fushën e Leiçesterit, ditën e hënë në Premier Ligë.

Sfidanti.al