Ka qenë një vit aspak i zakonshëm për Mbretërinë e Bashkuar, që mund ta gjejë veten një ditë as Mbretëri dhe as të Bashkuar, por le të flasim për këto që po ndodhin tani. Pas protestave dhe rrëzimit të monumenteve, vazhdon “katarsisi” apo “pastrimi shpirtëror”, ku edhe shprehjet që lëshojnë drejtuesit shihen me lupë në dorë. Nga kjo mori veten në qafë presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Klark, që tani është një “ish”. Në një përballje në rrjet me deputetët e parlamentit britanik, ai përdori fjalët “futbollistët me ngjyrë”, apo që “të jesh homoseksual është zgjedhje jete”, që “aziatikët e jugut dhe afro-karibianët kanë interesa të ndryshme të jetës”, dhe së fundmi që “lojtarët femra kanë më shumë dëshirë ta gjuajnë topin sesa topi t’u gjuhet atyre”. Reagimi publik ishte i ashpër dhe Klarku u detyrua të jepte dorëheqjen. Një nivel vërtet i lartë ndërgjegjësimi i publikut britanik, ndonëse ende numri i drejtuesve të tillë “vjetërsira” është i madh. Mediat britanike jo më kot e cilësuan Klarkun si “të dalë nga Jurasik Parku”.
Sfidanti.al