Junajtid e Liverpul me dhimbje koke, tifozët rrezikojnë edhe ndeshje të tjera!

Ajo që ndodhi këtë të diel në “Old Traford” ishte e paralajmëruar. Ishte po ashtu edhe fillimi i një proteste që pritet të vazhdojë. Tifozët e Mançester Junajtidit, që prej vitesh luftojnë ndaj pronarëve të klubit të tyre, pjesëtarëve të familjes amerikane Glejzër, dhanë sinjalin më të fortë deri tani, duke bërë që të shtyhej ndeshja e Premier Ligës ndaj Liverpulit, por duke rrezikuar edhe ndeshje të tjera. Zemërimi i publikut është tepër i madh me pronarët e gjashtë klubeve kryesore që shpallën fillimisht Superligën Europiane, ndërsa theksohet se nuk ekziston besimi edhe pasi ata u tërhoqën madje disa prej tyre kërkuan edhe falje.

Shefi ekzekutiv i Junajtidit, Ed Uduord, dha dorëheqjen pas zemërimit të përkrahësve, por as kjo nuk ka mjaftuar. Në shënjestër janë familja miliardere Glejzër, po ashtu edhe pronari i Liverpulit, Xhon Henri, apo edhe ai i Arsenalit, Sten Krënke. Fakti që ata janë amerikanë e shton edhe më shumë antipatinë e tifozëve, ndërsa deri tani nuk ka pasur kërkesa për dorëheqje të pronarit të Çelsit, Abramoviç, apo të sheikëve të Mançester Sitit. Edhe përkrahësit e Totenhemit janë kundër pronarit të klubit londinez, Daniel Levi, ndërsa rreziku është i madh në vazhdim. Ndërkaq, shtyrja e ndeshjes Mançester Junajtid-Liverpul ka krijuar probleme të mëdha për dy klubet, sepse kalendari është tepër i ngjeshur.

Sfidanti.al