Harri Kejn është vërtet shumë i mirë, do rekordin e Ronaldos!

Dhjetë vjet më parë, “një farë” Kristiano Ronaldo u bë lojtari i fundit në elitën e futbollit anglez që shënonte 40 apo më shumë gola në një sezon. Portugezi, që në atë kohë luante për Mançester Junajtidin, realizoi 42 rrjeta në 49 ndeshje në edicionin e fundit me fanelën e kuqe, pra në 2007-2008. Ishte viti kur u shpall edhe kampion i Europës me “djajtë e kuq”, nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit.

Sot, është “një farë” Harri Kejn që mund t’ia thyejë atë rekord, ndonëse rekordi i vërtetë në futbollin anglez është më i lartë. Kejn ka realizuar deri tani 35 herë për Totenhemin në të gjithë kompeticionet, pra i duhen edhe 5 gola për të arritur të paktën 40-ën. Kapiteni i Anglisë po zhvillon një vit të madh, pasi këto rrjeta i ka në vetëm 36 ndeshje, dhe ndoshta dyzet mund të bëjë deri në fund të muajit.

Gjatë marsit, Spërsat ndeshen me Hadërsfildin, Juventusin, Bornmuthin dhe Suonsin dhe Kejni i ka të gjitha gjasat për të pasur sërish sukses. Gjithsesi, ai nuk është i vetmi që pretendon “40-ën”. Edhe sulmuesi i Liverpulit, Mohamed Salah, është duke shkëlqyer pasi ka realizuar 31 gola deri tani.

Rekordi në Premier Ligë (1992-2017) është 44 gola nga Rud Van Nistelroi i Mançester Junajtid, Ronaldo është i dyti, ndërsa Endi Koul po i Junajtidit ka gjithashtu 42.

Sfidanti.al