Turi i Francës do t’i lerë kampionët “vetëm”, jo më vajza në podium

Edhe një nga sportet më të vjetër të botës ka vendosur të emancipohet. Çiklizmi, dhe konkretisht gara më e madhe e tij Turi i Francës, nuk do t’i përdorë më femrat si “dekor” apo si “kozmetikë” të spektaklit mbi dy rrotat, duke nisur nga ky edicion. Organizatorët e Turit kanë ndjekur shembullin e sportit “darts” (gjuajtje në shenjë me shigjeta) dhe të Formula 1, që e kishin lajmëruar më parë ndryshimin revolucionar.

Turi ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar, por kjo është diskutuar dhe me shumë gjasa do të vendoset. Në të vërtetë, çiklizmi e kishte dhënë shembullin më parë, pasi Vuelta e Spanjës nuk i përdori vajzat-modele në podium pas çdo etape, në edicionin e vitit 2017. Jo vetëm kaq, por në Australi kjo traditë është pak më e vjetër, pasi në garën që zhvillohet atje, vitet e fundit çmimet janë dhënë nga fëmijë dhe sportistë të rinj.

Sfidanti.al