Guardiola përgjigjet për Juventusin dhe dënimin e UEFA-s

Ishin dy pyetje të cilave nuk është se kishte shumë qejf t’u përgjigjej, ndërsa u soll në mënyrë paksa të ndryshme me secilën prej tyre. Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, i zhgënjeu menjëherë shpresat e tifozëve të Juventusit se ai do të ulet në stolin e drejtimit të ekipit “bardhezi” në vend të Masimiliano Alegrit, me të cilin klubi juventin do ta ndërpresë bashkëpunimin sapo të mbarojë Seria A.

“Unë nuk do të shkoj te Juventusi dhe as në Itali, në përgjithësi. Kam për të bërë edhe dy vite këtu dhe nuk kam ndërmend të lëviz. Me të vërtetë, unë jam shumë i lumtur këtu dhe nuk do të shkoj asgjëkund. Unë do të jem trajner i Mançester Sitit edhe sezonin e ardhshëm”, deklaroi Guardiola, duke i hedhur poshtë spekulimet e përhapura.

Kur u pyet për dënimin e pritshëm të UEFA-s, për shkak të problemeve financiare, trajneri u acarua disi: “Mendoni se unë e meritoj këtë lloj pyetjeje, pikërisht ditën që fituam”.

Sfidanti.al