Një vit sportiv pa trofe, edhe pse me rritje dhe shpresa për të ardhmen. Në “Old Traford” ndihen edhe të mërzitur, edhe disi të lehtësuar me skuadrën e trajnerit Solskjer, veçse mallkimi më i madh këtë sezon kanë qenë gjysmëfinalet. Eleminimi në Ligën e Europës nga Sevilja ishte i treti, ndërsa ndodhi në stadiumin e Këlnit në Gjermania, ku nuk ndodhej asnjë tifoz. Spanjollët, 5 herë fitues të kësaj kupe (rekord), ia dolën 2-1 falë përvojës, ndonëse Junajtidi luajti më mirë. Dy eleminimet e tjera në gjysmëfinale kanë ndodhur në Angli.
Në Kupën e Anglisë shpresat ishin të mëdha, por eleminimi erdhi pikërisht në katërshen e fundit, nga një ekip që ishte mundur tri herë këtë sezon, Çelsi. Blutë e Londrës fituan 3-1 në “Uembli”. Një eleminim më pak i rëndësishëm, por më shumë i dhimbshëm për tifozët ishte në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, pasi u luajtën dy ndeshje derbi ndaj Mançester Sitit. “Qytetarët” fituan 3-1 në “Old Traford” përballë mbi 69 000 tifozëve, ndërsa “djajtë e kuq” ia dolën 1-0 në “Etihad”, por pa përmbysje.
Sfidanti.al