Pritet që, shumë shpejt, PSZH-ja, kampione ne fuqi në Francë, t’i dërgojë ofertën e tretë trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger. Ky trajner me shumë trofe, deri tani, ka refuzuar dy oferta të “të shenjtëve’, por këtë të tretën edhe mund ta pranojë, duke qenë se pakënaqësia e tifozëve të këtij ekipi anglez që ka 12 vite që po “agjëron”, duke mos fituar asnjë titull kampioni, po bëhet gjithnjë edhe më e madhe. Kontrata e tij aktuale mbaron në fund të këtij sezoni, ndërkohë që nuk ka ndonjë lajm se do të mund të fillojnë bisedimet me të për zgjatjen e saj. Nga ana tjetër, arsyeja se përse PSZH-ja po kërkon një trajner tjetër, lidhet me atë se ky ekip francez po tregon një formë që le shumë për të dëshiruar nën drejtimin e trajnerit bask, Unai Emeri. “Shenjtët” ndodhen në vendin e tretë, në kampionatin francez, me pesë pikë mbrapa Nicës kryesuese, ndërkohë që në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve përballë do të kenë Barcelonën. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, PSZH-ja, nën drejtimin e Loran Blankut, ishte një lidere bindëse, duke e siguruar titullin e kampiones së vendit qysh në mars. Emeri ka një kontratë edhe për një vit tjetër, ndërkohë që, krahas Vengerit, si kandidatë potencialë për detyrën e trajnerit kryesor të PSZH-së përmenden edhe trajnerët Roberto Mançini dhe Klarens Zedorf.
Sfidanti. al