Armando Sadiku mund të kthehet në janar në elitën e futbollit zviceran, te ekipi i Luganos. Konfirmimi vjen nga presidenti i këtij klubi, Anxhelo Renceti, i cili për mediat zvicerane sqaroi se sulmuesi ka dëshirë që t’i bashkohet Paolo Tramexanit, me të cilin ka shumë miqësi.
Ai dëshiron të vijë, është shumë mik me trajnerin tonë ndaj do të bëjmë një tentativë për ta realizuar. A kemi folur? Po, me futbollistin, por jo në nivel klubesh”, shpjegoi ai.
Sadiku ka veshur fanellën e Luganos në vitet 2012-2013, duke realizuar 24 gola në 43 ndeshje me këtë skuadër, gjë që i dha mundësinë më pas të transferohej te Zyrihu. Me sa duket, sulmuesi shqiptar kërkon të bëjë rrugëtimin invers qoftë edhe në formën e huazimit, por klubi që zotëron kartonin e tij ka fjalën e fundit në këtë aspekt.