Ai e shpjegon me përvojën e parë si trajner tek Ist Stërling (East Stirling) në Skoci, kur lojtarët e tij që fitonin 5 paundë stërlina në javë në vitet 70-të u mundën në një ndeshje 2-5. Sër Aleks Fergusoni, që atëherë ishte një trajner rishtar dhe thuajse krejtësisht i panjohur, shkoi në shtëpi dhe tha me vete “nëse nuk do të arrij të injektoj Aleks Fergusonin në këtë skuadër, nuk do ta kem të gjatë”.
Ai ia doli ta bënte në të gjitha skuadrat ku ishte, sidomos tek Aberdini në Skoci dhe Mançester Junajtidi, duke fituar 13 tituj kampion në Angli e 4 në Skoci, duke marrë 2 Champions si dhe Kupën e Kupave dhe Superkupën e Europës me Aberdinin. Me gati 50 trofe si trajner, besohet se skocezi është numri 1 i të gjitha kohëve në botë në këtë renditje.
“Tek Mançester Junajtid apo Aberdini pata disa lojtarë të shkëlqyer, por shumë të tjerë ishin normalë, veçse kishin forcë mendore të jashtëzakonshme dhe kjo i bëri më të mirë sesa ishin, – tregon ai, – unë kam përdorur instinktin për të marrë lojtarët, besoja tek instinkti im”. Ndër ta ishin Erik Kantona, Uejn Runi dhe Kristiano Ronaldo. Fergi, që sot është 79 vjeç, thotë se nuk është mërzitur kurrë nga suksesi, dhe nuk ka dashur kurrë që të mundej.
Sfidanti.al