Fitorja ishte e rëndësishme, në mos e madhe, një vulë autoriteti nga “djajtë e kuq” që treguan se nuk kanë vdekur, pavarësisht nga momenti shumë i vështirë në Premier Ligë apo edhe në Champions. Mançester Junajtidi triumfoi 3-1 në fushën e Evertonit, të një rivali të fortë këtë sezon, duke reaguar pas humbjes 1-2 në Turqi me Bashaksehirsporin. Nuk mjaftoi për t’i ngjitur shumë lart, pasi djemtë e trajnerit Solskjer janë vetëm në vend të 14-të me 10 pikë në 7 ndeshje, por tregoi se çfarë potenciali kanë nëse gjejnë vazhdimësinë.
Mesfushori portugez Bruno Fernandez shënoi dy gola për miqtë, që përmbysën rezultatin, ndërsa Edinson Kavani shtoi të tretin, me rrjetën e parë me fanelën e tij të re. Solskjer natyrisht ende e rrezikon postin, dhe ka spekullime mbi fatin e norvegjezit, ndaj gjithçka do të shikohet në sfidat e ardhshme. Junajtid ka qenë në gjendje të kombinojë rezultate si fitorja në fushën e Paris SG apo të Evertonit, me disfata ndaj Kristël Palasit, apo katastrofën 1-6 në “Old Traford” kundër Totenhemit.
Sfidanti.al