Euforia në “Etihad” – jorealiste: Mesi do të qëndrojë te Barça

Mançester Siti ka një plan të qartë që ta sjellë Lionel Mesin në “Etihad” dhe të nënshtrojë botën futbollistike. Por sa realist është ky plan? Në fakt, plani nuk është i keq, por ai është një “mision i pamundur”. Mediumet në Angli shkruanin se Siti ka aktivizuar klauzolën e blerjes së Mesit në kontratën e këtij të fundit me Barcelonën me vlerë prej 300 milionë eurosh, me synimin që të sjellë në “Etihad” futbollistin më të mirë të botës. Mesi, në fakt, vlen më shumë, nëse kihet parasysh se Nejmari u ble për 222 milionë euro nga PSZH-ja dhe te Siti janë të bindur se “magjistarit të topit” nga Rosario, me siguri, që i kanë ardhur në majë të hundës aferat e ndryshme në Spanjë rreth taksave të papaguara.

Sidoqoftë, analisti i njohur i “Skaj Sportit”, Balague, që e ndjek përditë situatën në futbollin spanjoll, shkruante se është e vërtetë se Mesi ende nuk e ka nënshkruar kontratën e re me Barcelonën, por se çdo gjë është gati dhe ai do ta nënshkruajë atë në një të ardhme të afërt.

Sfidanti.al