Një zgjidhje e momentit, për të parë se çdo të ndodhë më vonë. Granit Xhaka nuk do të jetë në përbërje të skuadrës së Arsenalit që luan sot në fushën e Liverpulit për Kupën e Ligës, pas shpërthimit të tij ndaj tifozëve të vet në ndeshjen e Premier Ligës ndaj Kristël Palasit. Këtë e konfirmoi trajneri Unai Emeri, që shtoi se kishte biseduar me mesfushorin për atë që ndodhi të dielën në stadiumin “Emirejts”.
“Xhaka nuk do të jetë në “Anfild” në mesjavë, – tha Emeri, – bisedova me të, dhe mund t’iu them se është shumë i mërzitur dhe i dëshpëruar nga ajo që ndodhi. Padyshim, që ai gaboi, ndërsa do të vendosim ditët e ardhshme për çështjen e shiritit”. Pra, nuk dihet nëse shqiptari i Zvicrës do të vazhdojë të jetë kapiteni i parë i “topçinjve”, apo do t’i hiqet ky nder dhe kjo përgjegjësi, pas ofendimit që i bëri tifozëve. Një pjesë e publikut të Arsenalit ka qenë prej kohësh kundër Xhakës, duke mos pranuar që ai të jetë kapiten.
Sfidanti.al