Lajmi është i hidhur, dhe kapiteni i tanishëm do të mungojë jo pak. Totenhemi do të jetë pa sulmuesin kryesor, Harri Kejn, për 8 javë pas dëmtimit që ai pësoi në ndeshjen e Premier Ligës në Sauthempton, dhe mungesa e tij i shtohet asaj të kapitenit të parë, portierit Hugo Joris, që nuk luan që prej fillimit të sezonit. Një situatë aspak e pëlqyeshme për Zhoze Murinjon, që po ndjen vështirësitë e para në stolin e Spërsave.
Ekipi ka pësuar humbje dhe ka mbetur prapa Çelsit në luftën për vendin e katërt, pra për zonën Champions, mbrojtja po shfaqet shpesh herë e dobët, ndërsa mesfusha nuk po ofron atë që pritej, pra një lojë më të mirë. Eriksen është me mendjen për t’u larguar, dhe duket se trajneri portugez është përpara sfidës më të madhe në një moment tepër delikat të sezonit. Për fat, koreanojugori Son po kthehet nga pezullimi prej 3 ndeshjesh, pikërisht në çastin e duhur, dhe mund ta ndihmojë ekipin të bëjë kthesën.
Sfidanti.al