Nëse dënimi i UEFA-s për Mançester Sitin konfirmohet, njëri nga lojtarët më të mirë të ekipit mund të largohet. Fjala është për Kevin De Brujnin, “mbretin e asisteve” në Premier Ligë, i cili është hapur në mënyrë të sinqertë i pyetur për të ardhmen e tij në stadiumin “Etihad”. “Unë jam duke pritur, – u shpreh ai për mediat belge, – klubi është 100 për qind i bindur se nuk ka bërë asgjë të keqe, dhe unë kam besim. Le të presim e të shohim, do të flasim vetëm pas një vendimi përfundimtar”. Gjithsesi, De Brujni shton se “dy vjet pa Champions është shumë, një vit edhe mund ta përballoj”.
Siti ka pasur ndërmend që të rinovojë kontratat me De Brujnin dhe Stërlingun, por kjo gjë u ndërpre për shkak të koronavirusit. “Nuk ka bisedime për momentin, – thotë mesfushori, – nuk e di se çfarë mund të ndodhë, pasi ne jemi në padituri të plotë për të ardhmen”. Qendrimi i De Brujnit për dënimin nga UEFA është i ndryshëm nga ai që ka shprehur Pep Guardiola, që ka theksuar se “do të rri tek Siti, edhe nëse dënimi mbahet në fuqi nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv”.
Sfidanti.al