Qëkur, para tre vitesh, Luis Suarezi u largua nga Liverpuli, ky klub ka shpenzuar qindra miliona sterlina që dolën se kishin qenë të gabuara, në përpjekjet për të sjellë ndonjë sulmues të qenësishëm, me synim plotësimin e vendit të Suarezit. Por, këtë verë, “të kuqtë”, më në fund, e gjetën zëvendësuesin e denjë, një golashënues efikas që, megjithatë, nuk është sulmues klasik dhe ky është egjiptiani 25-vjeçar Mohamed Salah që erdhi nga Roma, pasi Liverpuli pagoi për të 42 milionë euro.
Ky “Mesi egjiptian”, vetëm brenda katër muajsh, ka treguar se ai e meriton që të krahasohet me futbollistët më të mëdhenj që kanë mbajtur veshur bluzën e Liverpulit. Salahu në 26 ndeshje me “të kuqtë” ka shënuar 20 gola dhe ka asistuar gjashtë të tillë, një sukses 100 për qind. Me golin që ai shënoi kundër Bornmouthit (4-0), Salahu arriti legjendën e madhe të këtij klubi të lavdishëm, Jan Rash, duke shënuar 20 gola para Krishtilindjeve. Por, sidoqoftë, sulmuesi i famshëm uellsian e ka arritur këtë sukses në vitin e largët 1986!
Sfidanti.al