Broja humbi penalltinë, trajneri Hazenhutël: E kanë humbur edhe yjet më të mëdhenj!

Ndaj Mançester Sitit nuk pati mundësi ta tregojë veten. Armando Broja pati në dispozicion 20 minuta në stadiumin “Etihad” fundjavën e kaluar në Premier Ligë, por ja ku iu dha rasti në ndeshjen e Kupës së Ligës në Angli, të quajtur Karabao për shkak sponsorizimi. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u aktivizua titullar nga trajneri Hazenhutël, ndërsa Sauthemptoni me shumë ndryshime në formacion provoi shansin e tij në stadiumin “Bramall Lejn” të Shefild Junajtidit. Futbollisti 20-vjeçar nuk e pati aspak të lehtë, në sfidën e parë të tij në formacion, dhe kjo u duk në faktin se as nuk shënoi gola dhe as nuk shërbeu asiste në barazimin 2-2. Jo vetëm kaq, por kur ndeshja u vendos nga penalltitë, Broja nuk arriti ta realizonte dot 11-metërshin e tij.

Ai e bindi trajnerin për të qenë ekzekutues, por siç i ndodh edhe yjeve më të mëdhenj të botës, nuk e dërgoi dot topin në rrjetë. Hazenhutël nuk e bëri aspak të madhe. “Armando ishte paksa nervoz, – tha trajneri, – por, ne i zgjodhëm me kujdes ata që do të gjuanin penalltitë. Mendoj se çdo lojtar mund të humbasë 11-metërsha. Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, pasi kishim shumë ndryshime në formacion. Shumë lojtarë luajtën ndeshjen e parë që nga fillimi, dhe Shefildi ishte me mjaft ish-futbollistë të Premier Ligës”. Broja kaloi këtë verë tek Sauthemptoni i huazuar nga Çelsi, ndërsa bëri një paraqitje shumë të mirë 10 ditë më parë, ndonëse luajti vetëm 15 minuta në barazimin 0-0 në shtëpi ndaj Uest Hemit në Premier Ligë.

Sfidanti.al