Nuk dihet se kur mund të ndodhë ky transferim, por do të ishte më i madhi në historinë e klubit. Mançester Junajtidi ka piketuar futbollistin e Atletikos së Madridit, Saul, si objektivin e radhës, dhe nuk ka ndërmend të kursehet për ta marrë. Mediat britanike njoftojnë se për kartonin e tij mund të ofrohen 150 milionë euro, që do të ishte rekordi i transferimeve për të gjitha kohët për “djajtë e kuq”. Kjo, edhe pse Britania e Madhe dhe gjithë Europa po vuajnë në mënyrë të theksuar nga epidemia e koronavirusit.
Mesfushori spanjoll shikohet si alternativa më e mirë për të forcuar edhe më tej mesfushën, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të luftohet për titullin kampion në Angli. Saul është 25 vjeç, dhe prej 10 vjetësh luan tek Atletiko e Madridit, duke kaluar nga ekipet e moshave në skuadrën e parë të drejtuar nga trajneri Simeone. Ai ka afërsisht 300 ndeshje në kampionatin spanjoll, ku ka shënuar thuajse 40 gola, ndërsa është pjesë e kombëtares së Spanjës.
Nga Mançesteri pritet të largohet Pol Pogba, dhe Saul mendohet të jetë zëvendësuesi it ij. Francezi, i marrë për mbi 100 milionë euro nga Juventusi pak vjet më parë, ka qenë një zhgënjim në stadiumin “Old Traford”, dhe nuk mendohet se do të vazhdojë të luajë aty. Kampioni i botës mund të kthehet tek Juventusi, por ndoshta mund të shkojë edhe tek Reali i Madridit.
Sfidanti.al