Bejl s’është as “hija” e Kejnit, Murinjo mbyll një javë të tmerrshme!

E diela pas të enjtes vjen shumë shpejt dhe kur nuk je në rregull fizikisht dhe psikologjikisht hapu derën të këqijave. Totenhemi i Zhoze Murinjos nuk po arrin ta mbyllë këtë derë dhe pas humbjes 4 ditë më parë ndaj Liverpulit në shtëpi, ja ku erdhi kjo tjetra ndaj Brajtonit jashtë fushe. Në mungesë të të dëmtuarit Harri Kejn (që nuk dihet ende sesa do të mungojë), Garet Bejli u duk më keq se “hija” e yllit të sulmit. Trosar shënoi golin për vendasit, që më herët goditën shtyllën, ndërsa Totenhemi u përpoq në pjesën e dytë, por pa rezultat.

“Një skuadër e dëshpëruar dhe e mërzitur nuk mund të fitojë ndeshjet, – i qortoi Murinjo lojtarët e tij, – ata ishin shumë të mërzitur për dëmtimin e Kejnit, por unë iu them se jeta vazhdon se nuk ka zëvendësim për Kejnin, por vetëm kur të kthehet. Pjesa e parë ishte e keqe, dhe ne ishim pa shpirt, pa besim dhe pa lojë. Pas pushimit ishte krejt ndryshe, dhe ne meritonim rezultat tjetër. Largohem nga kjo ndeshje me mendime të mira për skuadrën, edhe pse nuk ishim shkëlqyeshëm, pasi as rezultatin nuk e ndryshuam”. Gjithsesi, Murinjo u largua duke qenë 11 pikë larg vendit të parë dhe me shanse thuajse zero për të kapur zonën Champions pa yllin kryesor, Harri Kejnin.

Sfidanti.al