Në tetorin e vitit të kaluar shumëkush ishte i bindur se ai e kishte prerë biletën “vetëm për vajtje”, pra për t’u larguar nga Arsenali. Granit Xhaka ishte në pikën më të ulët në klubin londinez pas përplasjes me tifozët e tij në stadiumin e Kristël Palasit, madje ish-trajneri Unai Emeri i hoqi shiritin e kapitenit si ndëshkim. Gjithsesi, kanë kaluar disa muaj dhe trajneri (tashmë, jo edhe aq i ri) Mikel Arteta realizoi një mrekulli me shqiptarin e Zvicrës.
Xhaka është kthyer në formë dhe ka qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm pas rifillimit të sezonit, duke ndihmuar Arsenalin në Premier Ligën dhe sidomos për t’u kualifikuar në finalen e Kupës së Anglisë. Arteta merr si shembull Xhakën për dy lojtarët që kanë probleme, Mesut Ozilin dhe Mateo Guenduzin. “Sfida me Granitin ishte që ta bindja se ai kishte të ardhme këtu, dhe mund t’ia dilte, dhe se gjërat në këtë sport ndryshojnë shpejt, – u shprehet trajneri, – më vjen mirë që ia doli, dhe këtë mund ta bëjnë edhe Ozili e Guenduzi”. Ozili ka pasur rendiment shumë të ulët dhe thuajse nuk ka luajtur fare për 10 ndeshje, ndërsa Guenduzi pati konflikt me lojtarë rivalë duke u treguar fodull e i papjekur.
Sfidanti.al