Arsenali po përforcohet seriozisht, mund të kthehen ditët e lavdishme?

Gjatë ditëve të ardhshme, pritet që Arsenali të nënshkruajë kontrata me futbollistët mjaft të mirë, Aleksandre Lakazet dhe Riad Marez, që janë sinjale se ky klub i Londrës Veriore po përforcohet, me të vërtetë, seriozisht. Ne fakt, ka kohë që Arsenali nuk ka sjellë në ekip, në të njëjtën kohë, dy futbollistë yje. Presidenti i Lionit ka konfirmuar, tanimë, se Lakazeti do të nënshkruajë, së afërmi, me Arsenalin, ndërkohë që “Calciomerkato” italiane shkruan se Arsenali është marrë vesh edhe për transferimin e Riad Marezit që gjithashtu pritet që të shpallet zyrtarisht, ditët e ardhshme.

Thuhet se trajneri francez i Arsenalit nuk do të mjaftohet vetëm me dy përforcimet e lartpërmendur dhe se ai po interesohet edhe për dy lojtarë të Sportingut të Lisbonës, Gelson Martins dhe Viliam Karvaljo, për të cilët, sikurse bëhët e ditur, ai (Vengeri) është gati të paguajë 70 milionë sterlina për të dy bashkë. Sidoqoftë, krahas përforcimeve të mësipërm, Vengeri ka detyrën e rëndësishmë që të mbajë në ekip yjet kryesorë të tij, Mesut Ozil dhe Aleksis Sançez.

Sfidanti.al