Në mbrëmjen “gala” të UEFA-s mungonte njëri nga personazhet. Ishte njëri nga më kryesorët, ai që bashkë me Mesin bënë historinë për 10 vjet, pra Kristiano Ronaldo. Portugezi pati ftesë, pati vendin të rezervuar, madje në sallë ishte edhe fotografi personal, që priste të shkrepte aparatin për Ronaldon si lojtarin e vitit në Europë. Në të vërtetë, çmimi i shkoi Luka Modriçit, ndërsa vendi në sallë për CR7-ën ishte bosh.
Nuk pati asnjë sqarim zyrtar nga lojtari tashmë i Juventusit, vetëm drejtori i përgjithshëm juventin, Bepe Marota, u shpreh se “ishte një vendim personal i Ronaldos”. Gjasat janë që të gjitha, që Kristiano e bojkotoi ceremoninë në shenjë proteste, kur mori vesh se nuk do të ishte fituese (nuk dihet se kur do të rritet aq sa të mos bëjë si fëmijë!). Një gjë të tillë, portugezi e bëri edhe në një nga vitet kur Topi i Artë iu dha Lionel Mesit.
Sfidanti.al