Zhoze Murinjo, para fillimit të kampionatit botëror, parashikoi rezultate që nuk u pëlqyen tifozëve të Serbisë dhe të Kroacisë. Specialisti portugez parashikoi se ekipet e të dy vendeve të lartpërmendur nuk do ta kalojnë dot fazën e grupeve, duke shkaktuar një pakënaqësi të madhe midis tifozëve të tyre. Murinjo, edhe një herë tjetër, u prononcua mbas një bisede që zhvilloi me lojtarin e tij te Junajtidi, serbin Nemanja Matiç, duke i provokuar përsëri tifozët serbë.
“Nuk thashë se Serbia do të dalë menjëherë jashtë konkurrimit dhe se ajo ka ekip të dobët. Dua që ajo (Serbia) të dalë jashtë konkurrimit dhe kjo është diçka tjetër. Përse dua që të ndodhë kështu? Sepse, Nemanja luan me përfaqësuesen e saj dhe unë dua që ai të pushojë sa më shumë gjë që do të thotë se do të jetë më mirë që Serbia të mos ta kalojë fazën e grupeve”, tha Murinjo që kishte parashikuar para Botërorit se ndaj Brazilit nuk ka shanse askush, kurse Zvicra do të dalë e dyta në grup.
Sfidanti.al