Ka shumë mundësi që Bepe Marota të shënojë edhe një fitore tjetër kundër ish-klubit të tij. Interi në prag të sezonit të ri siguroi një përforcim mjaft të mirë, Romelu Lukaku, për të cilin ishte i interesuar edhe Juventusi, por vetë sulmuesi belg e bëri të qartë se dëshira e tij gjithnjë ka qenë Interi.
Duket se rivali i vjetër i “zonjës së vjetër” po bëhet gati që të fitojë edhe një “betejë” tjetër në tregun e transferimeve. Federiko Kieza ka disa kohë që është vënë në shenjëstër nga Juvja, por pronari i ri i Fiorentinës, Roko Komiso, deri tani, ka arritur ta përballojë sulmin e klubit torinez, por duket se tani ai nuk është vetëm në këtë luftë, pasi atij i erdhi papritur një “aleat”, Interi, që, sikurse thuhet, i ka propozuar Komisos që ai ta mbajë Kiezën e ri edhe një sezon tjetër, mbas të cilit ta lejë atë të vije në Milano për 70 milionë euro.
Interi i ka marrëdhëniet shumë më të mira me Fiorentinën sesa me Juventusin, ndërkohë që edhe marrëveshja me klubin interist duket më e favorshne për klubin “violet” që do ta mbante Kiezën edhe një sezon tjetër dhe do të fitonte më vonë edhe 70 milionë euro. Po të realizohet, kjo do të jetë një fitore tjetër e Marotës kundër ish-klubit të tij.
Sfidanti.al