Pa Mesin, Agueron, Higuainin, çfarë Agjentine ndaj Brazilit?!

Duket sikur po fillon vërtet një epokë tjetër. Argjentina që do të luajë ndaj Brazilit në miqësoren në Lindjen e Mesme, do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që ishte të paktën deri në Botëror. Trajneri Lionel Skaloni nuk do të ketë shërbimet e Lionel Mesit, Kun Agueros, Gonzalo Higuainit apo Angel Di Marisë. Flitet për katër gjigandë të kombëtares, ndërsa Skaloni mesa duket dëshiron të provojë variante të tjerë me Ikardin apo Dibalën.

Brazili, në të kundërt, është i plotë, pasi lojtarët kryesorë si Nejmar, Gabriel Zhezus apo Firmino janë në dispozicion. Dy skuadrat do të luajnë në Xhedah, dhe trajnerët e kanë hedhur poshtë konceptin “miqësore”. “Brazili dhe Argjentina nuk mund të jetë kurrë miqësore, – thotë trajneri brazilian, Tite, – shpresoj që të luajmë më mirë sesa ndaj Arabisë Saudite”.

“Përballja me Brazilin është gjithnjë e veçantë, – shprehet Skaloni, – pavarësisht nëse luan në futboll, basketboll apo sport tjetër. Ne gjithnjë duam të mundim një ekip me fanelën e Brazilit. Thuhet se është miqësore, por ne nuk e ndjejmë si të tillë”.

Sfidanti.al