Nejmar shënon, Barça fiton, por Valverde nuk e do Junajtidin përballë!

Nuk shkoi aspak keq për Barcelonën në SHBA, të paktën deri tani ka qenë shumë mirë. Suksesi ndaj Juventusit u pasua me triumfin ndaj Mançester Junajtidit, me një gol të vetëm dhe trajneri Ernesto Valverde mund të ndihet i kënaqur me ditët e tij të para si drejtuesi i skuadrës katalanase. Gjithsesi, i ardhuri nga Bilbao, gjykon se gjatë sezonit do të jetë ndryshe. “Mançester Junajtid është një skuadër e madhe dhe ajo po kthehet në kohët e saj të lavdishme, – tha ai, – do të jetë e vështirë të mundet në Premier dhe në Champions, unë nuk do të doja që të ndeshesha me të në Ligën e Kampionëve”.

Gjithsesi, nuk ishte vetëm goli i Nejmarit (ardhur pas gabimit të Valensias) që bëri diferencën mes dy ekipeve. Barcelona luajti shumë më mirë në pjesën e parë, kur skuadrat ishin me formacion të plotë, duke sulmuar rrezikshëm dhe u desh portieri De Gea që skuadra e Murinjos të shpëtonte nga pësimi i më shumë golave. Pas pushimit, Valverde bëri 10 ndryshime dhe Junajtid u paraqit më mirë, por përshtypja ishte se katalanasit janë shumë më mirë, edhe pse kampionati anglez nis në 13 gusht, pra më shpejt se ai spanjoll.

Nejmar, ndërkaq vazhdon të jetë i shkëlqyer, ndërsa kalimi i tij tek Paris SG ende nuk mund të thuhet nëse mund të ndodhë apo jo. “Ai është i lumtur tek ne, dhe është lojtari ynë”, – u mjaftua të thotë Valverde.

Sfidanti.al